Itali, kriza qeveritare. Presidenti Mattarella nis raund të gjerë konsultimesh

21 Gusht 2019, 11:04

Presidenti i Republikës Italiane nuk e ka parë të arsyeshme të mbledhë informacion nga ajo çfarë ndodhi dje në Senat.

Mattarella e ndoqi nga TV preludin e krizës disa javore brenda qeverisë, duke kuptuar tashmë se asgjë nuk mund të kthehej në normalitet.

As eleganca e fjalimit të kryeministrit Conte dhe as mprehtësia e akuzave drejtuar liderit të Lega-s Matteo Salvini, nuk jepnin shpresë për mirë përballë fytyrës së vrejtur të Zv/Kryeministrit Di Maio dhe Salvinit që tundte kokën dhe duart për të frymëzuar trupën e tij parlamentare.

Rezultati i krahasimit ishte shumë i qartë për Sergio Mattarella-n. Deklarata e lamtumirës dhe mirënjohja e Contes për të gjithë ata që e kishin mbështetur ishte shumë larg nga sjellja e atyre që kishin shkaktuar në mes të gushtit krizën e thellë.

Tani e tutje i takon Mattarella-s të udhëheqë rrugën për të dalë nga kriza. Ai do fillojë ta bëjë këtë sot në orën 16 duke hapur një raund të shpejtë konsultimesh me presidentët e Senatit dhe Dhomës dhe forcat politike.

Konsultimet duket se do të jenë delikate, edhe pse brenda një hutimi të përgjithshëm, të gjithë deklarojnë se mbështeten tek ai, "arbitri i mençur, serioz dhe i paanshëm".

Pavarësisht përkufizimeve, përgjegjësia për të gjetur një rrugë alternative, para votimeve të parakohshme që do të derivonin shumica të reja, marrëveshjet politike, do t'i lihet partive dhe vetëm atyre.

Sigurisht, Mattarella do të preferonte një zgjidhje që do të krijonte stabilitet, përkundër sondazheve, me qëllim ecurinë e qëndrueshme ekonomike kombëtare.

Edhe pse ‘shahu’ politik sapo ka startuar, koha në dispozicion për ta mbyllur ‘lojën’ e ‘festivalit të papërgjegjshmërisë’,  është e çmuar dhe e limituar.