Ja kritikat e Komisionit të Venecias për ligjin e pronave

3 Tetor 2019, 17:32

TIRANË - Komisioni i Venecias ka dhënë vlerësimin për projektligjin për procedurat kalimtare të pronësisë, duke e konsideruar si të paqartë. Komisioni i Venecias kishte ardhur në Tiranë në muajin shtator me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili kishte kërkuar opinionin e tyre konkretisht për dy nene të këtij projektligji, neni 7 dhe 9. Pasi kanë mbledhur faktet në muajin shtator ku kanë takuar të gjitha palët e interesit, Venecia vlerëson se drafti duhet korrigjuar pasi projektligji aktual mund të çojë në shkeljen e Konventës të së drejtave të Njeriut.

“Projektligji në versionin e tij aktual nuk ka qartësi dhe saktësi për shkak të mungesës së përkufizimeve dhe fuqisë rregulluese shumë të gjerë që i njeh Këshillit të Ministrave, mungesa e hapave themelore procedural dhe afatet e përcaktuara qartë për mbajtësit e titujve. Ekziston një rrezik i lartë që p/ligji të mund të krijojë probleme pajtueshmërie me nenin 1 të Protokollit të Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe dispozita të tjera, si dhe me Kushtetutën shqiptare. Në veçanti, Nenet 7 dhe 9 të p/ligjit janë në thelb të paqarta dhe të pasakta, prandaj mbajnë një rrezik të lartë që zbatimi i tyre do të çojë në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Në draft-opinionin e Venecias, po ashtu është theksuar se të drejtat e pronës në Shqipëri përbëjnë një nga çështjet më të ndërlikuara pas ndryshimit të regjimi në 1990, duke penguar zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kuadri ligjor karakterizohet më së miri si i fragmentuar, kompleks dhe jo-koherente. Rastet e pasurive të paluajtshme kanë përmbytur gjykatat vendase si dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ky fluks vazhdon”.

Ndër të tjera ekspertët e Venecias kanë theksuar se ende janë të shpeshta problemet me kompensimin e pronave, pavarësisht se legjislacionet janë ndryshuar disa herë.

“Ligji Nr. 7698/1993 "Për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve" filloi procesin e kthimit dhe kompensimit për pronarët origjinal të shpronësuar gjatë regjimi komunist. Deri më tani, ky proces mbetet jo i plotë, dhe rezulton se në disa raste se titulli i tokës dhe pronësia aktuale e tij, dhe çdo ndërtesë e ngritur mbi të ndryshon. Për më tepër, mbivendosja e titujve bujqësorë pjesërisht ose në tërësi është një problem i shpeshtë”.

Për këto arsye Venecia ka kërkuar nga qeveria që të rishikojë këtë projektligj dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme në mënyrë që ai të jetë i saktë dhe i qartë. Projektligji për procedurat kalimtare të pronësisë është hartuar në nëntor të vitit të kaluar dhe u bllokua në Kuvend. Në finale, ky draft synon që brenda një afati të caktuar të regjistrojë të gjitha pronat e paregjistruara në republikën e Shqipërisë. 

REKOMANDIMET E KOMISIONIT TË VENECIAS
• Përcaktoni natyrën deklaruese të aktit të regjistrimit të titujve, veçanërisht AMTP, në projektligj.
• Të rishikojë nenet 7 dhe 9 dhe artikujt në lidhje me to, duke marrë parasysh që titujt bujqësorë në formën e AMTP si dhe përdorimi i vazhdueshëm i tokës me shpresën e ligjshme për t'u pajisur me AMTP përbëjnë pronë të mbrojtur sipas nenit 1 të protokollit 1 të KEDNJ.
• Të përcaktojë në vetë p/ligjin mangësitë që parandalojnë vërtetimin e AMTP-ve, si dhe të kufizojë hapësirat rregulluese në dispozion të Këshillit të Ministrave në nivelin strikt të domosdoshëm.
• Të parashikohen në p/ligj afate të sakta për mbajtësit e titujve dhe hapat themelorë procedural, veçanërisht kur lidhen me transferimin e titujve të pronave bujqësore.
• Të përfshijnë në p/ligj përcaktimet thelbësore për titujt e pronave bujqësore.
• Të përcaktohen në p/ligj rregullat për paraqitjen e provave, aksesin në prova dhe të drejtën për t'u dëgjuar para vendimit të autoriteteve për të shpallur të pavlefshëm AMTP.
• Të zhvillohen konsultime publik me të gjitha palët e interesuara.

    No videos found.