Ja zonat ku do të ndërtohen portet e jahteve në Sarandë dhe Kepin e Rodonit

23 Tetor 2019, 19:56 | Përditesimi i fundit: 2019-10-23 20:11:26

Report tv sjell pamje nga vendi ku do të ndërtohet porti i jahteve në Sarandë. Koncesion përmes partneritetit Publik-Privat, i fituar nga Biznesmenët Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku  për një periudhë 35-vjeçare. Vlera e investimit për portin turistik “Marina Limion” kalon 1.3 miliardë lekë pa TVSH.

Aktualisht vendi ku do të ndërtohet porti siç shikohet nga pamjet është i pamirëmbajtur, pavarësisht se është vijë bregdetare me një pamje piktoreske aty ndodhen shumë pak anije kryesisht të vjetra dhe një numër i reduktuar jahtesh. Këto zona janë lëne pa ndërtime pasi kane qene nen administrimin e Ministrisë se Mbrojtjes.

Paraprakisht vetëm janë shpallur fituesit e koncesionit, që është bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Kastrati” sh.a dhe “Edil – AL – IT” sh.p.k, por nuk është përcaktuar afati kohor se kur do të jetë në përdorim ky port turistik dhe shërbimesh.

Ndërkohë porti tjetër që do të ndërtohet 7 km larg Kepit të Rodonit, “Marina Rodon” është një vend tërësisht i braktisur, dhe në të ndodhen vetëm disa varka të vogla dhe të vjetra.

Fitues të tenderit në një garë pa konkurrentë, u shpall bashkimi i operatorëve “Praslin Investment” sh.p.k  dhe “R&T” sh.p.k, me aksionerë Roland Ziun dhe Renis Tershana, me fond prej 883 milionë lekë pa TVSH për 35 vite. Ky port është parashikuar të ndërtohet pikërisht në këtë zonë që paraqitet në pamje dhe do të ketë thellësi të favorshme për strehimin e mjeteve lundruese me zhytje deri 5,5 metra.

Vendi i përzgjedhur kërkon ndërtimin e “Marina Rodon” nuk prek pjesën turistike por edhe fetare të Kishës Shën Ndout, që po administrohet nga Kisha Françeskane, dhe ndodhet disa metra larg bregdetit, në brendësi të territorit Kepit të Rodonit.