Ja si gruaja e Gjin Gjonit mori nga shteti licencën për të vijuar ‘pushtimin’ e Rinasit

26 Shtator 2019, 11:18

‘Pengmarrja’ e hapësirave Duty Free në Aeroportin e Rinasit nga Elona Çaushi, jashtë vullnetit të kompanisë koncesionare TIA, përmes kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution, konfirmon edhe një herë influencat e bashkëshortit të saj gjyqtar Gjin Gjoni, jo vetëm mbi segmente të drejtësisë që nuk kanë kaluar Vetingun, por edhe mbi degë të qeverisjes. Dy ditë pasi gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi (7 gusht 2019) vendosi që Albania Duty Free Distribution të vijojë kontrollin mbi dyqanet duty free të Rinasit, edhe pse kishte humbur tenderin te shpallur nga TIA, kompania e Elona Çaushit i është drejtuar me një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (9 gusht 2019), për t’u pajisur me autorizim për vijimin e aktivitetit. Duty Free Shop në fakt lejon shitjen e mallrave në zonën tranzit të aeroportit ndërkombëtarë pa taksa. Për të zhvilluar këtë lloj aktiviteti duhet një licencë nga autoritetet financiare. Për të fituar këtë licencë është e domosdoshme që firma të zotërojë një kontratë me një aeroport. Në rasti konkret, kompanisë së Elona Çaushit i mbaronte kontrata me datë 27 gusht 2019 me TIA, e cila ndërkohë kishte shpallur një tender ndërkombëtare të fituar nga firma amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e mirënjohur në këtë fushë. Duke përdorur një pretekst ligjor, Elona Çaushi ka bërë padi në gjykatë, ku çuditërisht ka fituar falë vendimi të Mimoza Kajo-Brahimit.Pasi kompania e Elona Çaushit ka dorëzuar ditën e premte, në 9 gusht, kërkesën për rinovimin e licencës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vë në lëvizje menjëherë Ministrinë e Financave për ‘hallin’ e familjes së Gjin Gjonit. Ndërsa Albania Duty Free Distribution kishte humbur zyrtarisht tenderin e organizuar nga TIA për vijimin e aktivitetit tregtar në Aeroportin e Rinasit, Ministria e Financave i rinovon brenda 24 orëve licencën kompanisë së Elona Çaushit për këtë aktivitet. Sipas dokumenteve që kanë siguruar Shqiptarja.com dhe Report Tv, rezulton se Drejtoria e Doganave ka aplikuar për licencën e Duty Free në Aeroportin e Rinasit në datën 15 gusht, pra vetëm 4 ditë pune pas kërkesës së ADFD, ndërsa Ministria e Financave e ka firmosur rinovimin një ditë më pas, pra në 16 gusht. Në kulmin e pushimeve verore këto struktura shtetërore janë vënë në lëvizje në urgjencë, duke hapur rrugë në kohë rekord bashkëshortes së Gjin Gjonit, për të vijuar ‘pushtimin’ e ambienteve duty free në Aeroportin e Rinasit, kundër vullnetit të koncesionarit, i cili ka një kontratë me shtetin shqiptar. Licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi. Në licencë nuk përcaktohet një afat, por megjithatë rezulton një garanci prej 5.000.000 lekë të reja të vendosur nga kompania e Elona Çaushit për një afat njëvjeçar. Rinovimi i licencës me sa duket është bërë mbi bazën e vendimit të gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi, vendim i cili megjithatë është thjesht një sigurim padie që nuk tregon në asnjë rresht për sa kohë do bëhet shtyrja e afatit të aktivitetit. Me sigurim padie thjesht vendoset që shtyrja e aktivitet të duty free shop do bëhet ‘deri në përfundimin e konfliktit gjyqësor me TIA'. Si ka mundësi që ministria, pa marrë parasysh këtë detaj tepër të rëndësishëm, ka rinovuar licencën pa afat?

    No videos found.