Japoni, liderët e 19 vendeve më me ndikim në botë, mbërrijnë në Osaka

27 Qershor 2019, 11:47

Dhjetëra mijëra policë janë vendosur sot në rrugët e Osaka, në Japoni, për të patrulluar zonën rreth ndërteses ku ditën e nesërme liderët e 19 vendeve  më me ndikim në botë dhe Bashkimi Evropian, do të takohen në kuadër të samitit të 14-të të G20 për të diskutuar mbi çështjen e ndryshimeve klimatike, tregtinë e lirë dhe pabarazinë ekonomike.Në pistën e aeroportit të Osaka, që në orët e para të mëngjesit, u ulën me rradhë Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, i ftuar në takim si mbajtës i presidencës së Bashkimit Afrikan, Kryeministri indian Narendra Modi, vendi i të cilit në vitin 2022 do të organizojë samitin e G20, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili do të takohet veçmas me Presidentin e SHBA Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin, me të cilët do të diskutojë rreth blerjes nga ana e Ankarasë, të sistemeve mbrojtëse raketore S400 të prodhuara nga Rusia, Presidenti i Argjentinës Mauricio Macri dhe Presidenti kinez Xi Jinping, i cili paraprakisht i konsideroi protestat e Hong Kongut si një çështje e brendshme e Kinës.