Java e martesës, nisma ndërkombëtare që vlerëson përkushtimin, të ftuar koordinatorët Genti dhe Djana Shani

11 Shkurt 2019, 15:40

Veç faktorëve ekonomikë e socialë të pranuar në të gjithë botën si ndër shkaktarët kryesorë të problemeve në një martesë, çiftet shqiptare vuajnë edhe nga mungesa e intimitetit. Nuk bëhet fjalë për intimitetin fizik, por më së shumti për intimitetin në komunikim dhe krijimin e një marrëdhënie të shëndoshë. I këtij mendimi është Djana Shani e cila bashkë me të shoqin prej 8 vitesh udhëheq nismën “Java e Martesës”. E ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Shani tha se ajo që ka vënë re gjatë këtyre viteve, duke folur me shumë çifte të martuara shqiptare është mungesa e komunikimit për problemet që i shqetësojnë apo ndjenjat që kanë partnerët.

Media shpesh e ka reklamuar problematikën që kanë familjet jo vetëm shqiptare, por në të gjithë botën. Por ajo që doja të ndalesha pak, sepse media shpesh fokusohet tek shkaktarët e mëdhënj si dhuna në familje, tradhëtia bashkëshortore apo emigracioni, do të thosha që një nga aktorët që kemi vënë re kur kemi folur me çiftet, është mungesa e intimitetit në çift. Dhe kur flas për intimitetin nuk e kam fjalën për intimitetin fizik patjetër, por e kam fjalën për mungesën e komunikimit, të qëndruarit bashkë, koha cilësore, të folurit hapur për ato që na shqetësojnë, shphrehja e ndjenjave. Të gjitha këto përmblidhen me këtë fjalë e vetme, intimiteti që është kaq e rëndësishme. Sepse në jetën tonë të përditshme duke mos folur me njëri tjetrin ngremë murë izolimi, muri tullë tullë ngrihet dhe bëhet i lartë dhe nuk arrijmë të shohim njëri tjetrin. Pra distancohemi aq shumë sa nuk e kuptojmë që paskemi shkuar aq larg saqë është e vështirë të vijmë sërish bashkë. Ky është një nga faktorët që doja të përmendja.