Në mbrëmjen e 7 qershorit 2025, skena antike e Teatrit të Butrintit u mbush me emocione, muzikë dhe duartrokitje të pafundme, teksa këngëtari me origjinë shqiptare dhe karrierë të suksesshme në Itali, Ermal Meta, solli një performancë të jashtëzakonshme në kuadër të Javës Kulturore Italiane.
Koncerti, i cili shënoi nisjen e turneut të tij “LIVE 2025”, u zhvillua në një prej skenave më të bukura të Mesdheut – Teatri Antik i Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Të pranishëm në këtë mbrëmje të veçantë ishin përfaqësues të rëndësishëm nga Shqipëria dhe Italia, mes tyre: ambasadori italian në Tiranë Marco Alberti, drejtori i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera si dhe zëvendësministrja e Kulturës së Shqipërisë Lira Pipa krahas një numri të madh spektatorësh që kishin mbushur shkallët e teatrit antik.