Jeta në çift e në skenë e Suela Bakos dhe Romir Zallës

14 Shkurt 2019, 16:31

Ata kanë mbi 15 vjet që janë bashkë si çift në jetë, por gjatë këtyre viteve kanë patur mundësinë të ndajnë edhe pasionin e profesionin e përbashkët për teatrin dhe kinematografinë. Çifti i njohur i aktorëve Suela Bako dhe Romir Zalla rikthejnë duke nisur nga nesër në Teatrin Eksperimental dramën “Tri gra dhe Misugi” , bazuar në novelën e famshme  “Çiftja” të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Bako e cila vjen në këtë shfaqje nën petkun e 3 grave japoneze tha se është një kënaqësi e madhe të risjellësh në teatër një vepër që flet për dashurinë dhe pasionin, e që për koinçidencë ngjitet në skenë pikërisht në 14 shkurt, ditën e të dashuruarve.

Problemi është që kështu qëlloi. Datat  që u vendosën janë të kësaj jave të shkurtit dhe javës tjetër të shkurtit. Është kënaqësi shumë e madhe kur ndan një vepër që flet vetëm për dashurinë dhe pasionin, qoftë edhe për këto dashuritë e pamundura , se kështu më pëlqen më shumë ti quaj sesa tradhëti, sepse fjala tradhëti është shumë e rëndë.