‘Jetët e të tjerëve’ në tablotë e Hasan Nallbanit, artisti: Një shoqëri si e jona, s’mund ta restaurojë menjëherë rolin e gruas!

24 Janar 2020, 18:43

Ngjarje që jetojmë çdo ditë, njerëz  që ndeshim në udhëtimin tonë, por edhe hapësirat në të cilat endemi për të reflektuar, vijnë nën penelin e piktorit të njohur Hasan Nallbani në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Ekspozita e kuruar nga Ajola Xoxa ka marrë jetë falë platformës së Harabel, që ka zhbiriluar në skutat e studios së piktorit, i cili çdo ditë ndërton një vepër arti, që ka brenda Jetën e të tjerëve, por edhe vet jetën e tij, artistike dhe personale.

 “Ka karaktere që qëndrojnë shumë intime edhe personale, as ti edhe as vet piktori nuk i vëzhgon. Prandaj vjen në këtë titull, sepse të gjithë këta personazhe në errësirë vazhdojnë jetën e tyre, edhe ti je personazhi që i vëzhgon. Ndërsa, ata vazhdojnë që të jenë vetëm. Portretet e njerëzve, vijnë plot tension, duke qarë edhe duke qeshur, duke krijuar kështu një publik masiv.  Në moshën 85-vjeçare me një karrierë kaq të madhe, s’ka më rëndësi nëse është i vëzhguar apo vëzhgues.  Në studion e tij, e përjeton jetën duke marrë përjetime të thjeshta edhe të vërteta, pa kërkuar një hero”, shprehet kuratorja e ekspozitës Ajola Xoxa.