Jo më mësim me 2 turne! Pas 54 vitesh rikontruksion në shkollën 'Jeronim De Rada'

16 Korrik 2019, 14:42

Pas 54 vitesh, me mbështetjen e Katarit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Jeronim De Rada”, e cila do të ketë jo vetëm më shumë klasa në dispozicion, por edhe laboratorë e palestër të re. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, çka shmang përfundimisht mësimin me dy turne.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me mikun tim, ambasadorin e Katarit, jemi në fillimin e punimeve për shkollën “Jeronim De Rada”, një shkollë që do duket totalisht e re, jo vetëm sepse do të rikonstruktohet nga e para, por sepse do t’i shtohet një palestër, do t’i shtohen disa klasa për të shmangur përfundimisht mësimin me dy turne. Një bekim i madh, edhe një arritje e madhe për Njësinë 9, por sigurisht për zonën e rrugës “Fortuzi. Bashkia po bën edhe 17 shkolla të reja me forcat e saj, ndërkohë për shkollat ekzistuese kemi zgjedhur partneritete me miqtë e Shqipërisë, siç është Ambasada e Katarit, për t’u siguruar që edhe nevojat në shkollat ekzistuese të plotësohen. Kështu, do të kemi një komunitet që e shikon si shkollën si qendër komunitare, jo thjesht si një vend parkimi, 6 orë, për fëmijët. Kemi një plan zyrtar për t’i përfunduar punimet deri në shtatorin tjetër. Megjithatë, sot morëm një premtim që do të sforcohemi pak, ndoshta dhe me dy-tre turne, për t’u siguruar që ndoshta që në semestrin tjetër të kemi gati shkollën e re “Jeronim De Rada'”, tha Veliaj.