Ju rrënua shtëpia nga tërmeti, gruaja nga Korça vlerësohet me 36 mijë lekë, e nxjerrin dhe nga konvikti

17 Tetor 2019, 18:32

KORÇË-Ermira Bejko është një qytetare nga Korça, banesa e të cilës u shemb nga tërmeti që shkundi juglindjen e vendit në fillim të qershorit. Shtëpia është e pabanueshme, por Bejko thotë se grupet e inspektimit ja kanë vlerësuar dëmshpërblimin 360 mijë lek të vjetra, çka sipas Bejkos është shifër e pamjaftueshme për rikonstruksion dhe kërkon rishikim.

"Gjithë ky dëm i madh mua më ishte vlerësuar 360 mijë lek të vjetra. Firma me 360 mijë lekë nuk bën dot as një suvatim të tavanëve. Jo të bëj çatinë, oxhakun që ka rënë komplet. Morëm ekspertët e ndërtimit dhe thanë se muret janë të amortizuara dhe nuk mbajnë suva.

Nëse i bën do bien përsëri", thotë ajo, teksa shton se këto 5 muaj nuk kanë qenë aspak të lehtë për të. Është strehuar edhe në Konviktin e Studentëve vetëm për të pasur një çati mbi kokë. Por, sot Ermira Bejko është në rrugë të madhe pasi me fillimin e universitetit në konvikt janë akomoduar studentët.

"Të dal nga konvikti dhe jam në rrugë të madhe me gjithë plaçka. Unë grua e vetme. Unë jam jashtë. Ju lutem më ndihmoni. I bëj apel kryeministrit të verë dorë këtu në Korçë pasi si unë janë dhe shumë të tjerë jashtë. Do vije dimri dhe ku do ta rregulloj shpinë. Jam jashtë. Për shtëpinë nuk bëhet fjalë të ndërtohet" apelon ajo.

Në lidhje me këtë çështje nga ana tjetër, Zhaneta Lubonja drejtoreshë e Urbanistikes në bashkinë Korçë në një komunikim telefonik mohon pretendimet e zonjës.