Kaçifas', grekët bllokojnë aksin Gjirokastër-Kakavijë, arrestohet ekstremisti Babis-Harallambos

8 Nëntor 2018, 18:51 | Përditesimi i fundit: 2018-11-08 21:05:15

GJIROKASTER Ceremonia mortore për Konstandin Kaçifën u shoqërua edhe me një incident në fund të saj. Dhjetëra persona kryesisht ekstremistë të ardhur nga Greqia, bllokuan aksin nacional Gjirokastër-Kakavije në hyrje të fshatit Bularat. Qarkullimi në këtë segment ka qenë i paralizuar për rreth 10 minuta, deri në ndërhyrjen e policisë. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije për Report Tv, se janë arrestuar dy persona, të dyshuar si organizatorë të bllokimit rrugës, personazhe të njohur.

Report Tv mëson se në prangat e policisë kanë rënë ekstremisti i njohur Babis-Harallambos  dhe Anestis Kacis. Burimet gjithashtu sqarojnë se forcat anti-terror, kanë identifikuar të gjithë personat që kanë bllokuar rrugën.

Babis Karathanos printe sot edhe arkëmortin me trupin e pajetë të Kaçifës nga Bularati për në varrezat e fshatit, ndërsa në duar mbante flamuj grek dhe bënte thirrje si "Vorio-Epiri është tokë greke" apo dhe "Këtu është Greqi".

Babis Harallambos është përfaqësues politik i "Agimit të Artë" dhe i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare, ndërsa ka qenë i akuzuar edghe si një prej autorëve të masakrës së Peshkëpisë. Burime për Report Tv pranë Policisë së Shtetit se Harallambos dyshohet të ketë hyrë në Shqipëri ilegalisht. 

Më herët, policia bllokoi në kufi 44 shtetas grekë të identifikuar si problematikë, të cilët mbanin me vete uniforma me parulla për Vorio-Epirin dhe flamuj grekë. 

Protestuesit grekë, pas përfundimit të ceremonisë mortore, bllokuan për mbi 10 minuta rrugën nacionale duke shkaktuar kaos dhe trafik. Pas insistimit të gazetarit të Report Tv, Arsen Rusta, Policia e Shtetit ka ndërhyrë duke bërë të mundur normalizimin e situatës.