Kadastra hap 74 vende pune, Lame: O Kadastrën, o qokat! Mos më ndërhyni për punësime

11 Shtator 2019, 11:01 | Përditesimi i fundit: 2019-09-11 14:38:51

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka lajmëruar se janë 74 vende të lira puna që pritet të mbushen me specialistë e inxhinierë. Ka qenë Drejtori i përgjithshëm i kadastrës Artan Lame i cili me anë të një deklarate për mediat ka bërë thirrje të gjithë inxhinierëve që të aplikojnë për të konkurruar për pozicionet e punës të hapura në Kadastër.

Lame ndër të tjera ka bërë edhe një thirrje njerëzore dhe personale duke kërkuar nga njerëzit e familjes apo ata që e njohin nga afër që të mos i kërkojnë favore për të hyrë në punë apo të bëjnë ndërhyrje që të favorizojnë persona të caktuar.

Sipas Lames në Kadastër duhet të rritet ndjeshëm profesionalizmi në fushat e caktuar. Vendet e punës konkretisht janë hapur për profesionet si Inxhinier ndërtimi; Arkitekturë; Urbanistikë; Gjeoinformatikë; Gjeodezi dhe Topografi.

Lame ka thënë  se sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi. E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë.