Kanabis dhe arsenal armësh në Krujë, arrestohen 9 persona mes tyre një efektiv policie

15 Korrik 2019, 15:09 | Përditesimi i fundit: 2019-07-15 17:54:16

Kanabis dhe arsenal armësh në Krujë, arrestohen 9 persona mes tyre një efektiv policie 

KRUJË- Nëntë persona, mes tyre një efektiv policie janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Ndëshkimi” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike ku u sekuestruan disa bimë dhe arsenal armësh. Efektivi i policisë që ka rënë në pranga është Hysen Pula, 52-vjeç. Sipas burimeve Pula prej disa kohësh merrej me grupe të kultivimit të kanabisit duke u krijuar atyre mbrojtje. Gjithashtu është vendosur masa detyrim paraqitje për 3 persona të tjerë dhe një është shpallur në kërkim.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të rrethit Krujë. Gjithashtu, gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave të këtyre personave dhe ambienteve përreth tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri pushkë, 5 armë gjahu, municion luftarak dhe 17 aparate celulare.