Kapen 1.3 ton kokainë në Greqi, mediat: Erdhi nga Karaibet me jaht, 8 të arrestuar, mes tyre 3 shqiptarë

25 Janar 2020, 14:54 | Përditesimi i fundit: 2020-01-25 17:23:38

GREQI-Autoritetet greke kanë sekuestruar në një operacion të koordinuar me DEA-n amerikane rreth 1.3 ton kokainë në Agrinjo, pranë Patras. Deri tani raportohet se janë tetë të arrestuar. Mediat greke raportojnë se mes të arrestuarve janë tre shqiptarë, të tjerët grekë dhe arabë. Droga ishte fshehur në një kompleks dhomash plazhi të marrë me qira në fshatin Astakos pranë qytetit të Agrinjos. Të dhënat e para janë kontradiktore.

Disa prej medieve shkruajnë se origjina e kokainës ishte nga Karaibet, ishujt Shën Vincent, ndërsa nga andej ishte transportuar me jaht drejt Greqisë. Ende nga policia greke nuk ka një komunikim zyrtar. Aksioni vijon në disa qytete në Greqi për të arrestuar trafikantë të tjerë të përfshirë. Në shtator të vitit të kaluar u zbulua në portin e Pireut një tjetër sasie e madhe kokaine që ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Durrësin.