Katër ditë në grevë urie, rëndohet gjendja e punonjësve të uzinës së naftës në Ballsh

16 Shkurt 2020, 11:41 | Përditesimi i fundit: 2020-02-16 15:53:59

BALLSH-Ka hyrë në ditën e katërt greva e urisë së punonjësve të stacionit elektrik dhe të pompimit në Poçem. Gazetari i Report Tv Kristaq Thano raporton se gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar për shkak të mungesës së ushqimit. 16 punëtorët kërkojnë pagat që sipas tyre kanë 27 muaj që nuk i marrin.

Grevistët janë shprehur se asnjë institucion nuk ka ndërmarrë asgjë për pagesat e tyre. Grevistët varen nga Uzina e naftës në Ballsh, e cila pas privatizimit ka ndryshuar brenda një kohe të shkurtër shumë pronar.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës theksoi dje se është takuar me përfaqësuesit e punonjësve për ndërmjetësuar me palën operuese të rafinesrisë për pagat që nuk kanë marrë, por deklaroi se nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në veprimtarinë e kompanisë.