Kavajë, plagos 53 vjeçarin, dy qytetarë e kapin me kallashnikov në dorë

24 Shtator 2019, 15:16

KAVAJE - Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në qytetin e Kavajës, pranë bashkisë së vjetër, ku një 31-vjeçar i armatosur me kallashnikov qëlloi me breshëri duke lënë të plagosur një 53-vjeçar, i cili ndodhej në dyqanin e tij. Një plumb kapi në trup 53-vjeçarin Rexhep Tare, ndërkohë që ajo çka e bën të kthesh më shumë sytë nga kjo histori, është veprimi i guximshëm i qytetarëve të Kavajës. Kanë qenë pikërisht ata, që pas breshërisë së kallashnikovit lëshuar nga Fitim Baboçi, kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar autorin. Janë dy zotërinj, njëri që e kap autorin nga pas, duke e shtrënguar në pjesën e barkut, dhe një zotëri tjetër, që i kap armën. Një gjest heronjsh që mund t'i kishte rrezikuar jetën. Por fatmirësisht, më pas mbërriti policia që bëri të mundur arrestimin e autorit, me ndihmën e pamasë të dy qytetarëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:10, pranë bashkisë së vjetër, ku i plagosuri kishte një lokal të vogël dhe ka qenë duke ecur. Në këtë moment autori Fitim Baboç ka hapur zjarr me breshëri ndaj tij.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se fatmirësisht 53-vjeçarin e ka kapur vetëm një plumb dhe është jashtë rrezikut për jetën. Autori dhe i plagosuri kishin njohje me njëri-tjetrin pasi ishin nga e njëjta zonë. Dyshimet e policisë janë se dy personat në fjalë kishin një konflikt të vjetër mes tyre dhe gjërat janë agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave janë dëmtuar edhe xhamat e disa bizneseve për rreth si dhe është rrezikuar jeta e kalimtarëve të rastit.

Ndërkohë policia po heton në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe prite të marrë dëshmitë e familjarëve të personave të përfshirë në këtë konflikt me armë.

    No videos found.