Kënd lojërash në Njësinë 9, Veliaj: Investimi i duhur për Tiranën e 50 viteve që vijnë

21 Korrik 2019, 20:29

Ashtu si në mandatin e parë, Bashkia e Tiranës vijon punën për shtimin e këndeve të lojërave për fëmijët. Në Njësinë 9 është hapur këndi më i ri, një hapësirë rekreative që plotëson të nevojat e të gjitha grupmoshave të komunitetit, me module e lodra për fëmijë, si dhe hapësira çlodhje për më të rriturit.

“Është një ditë fantastike sa herë që pastrohet një copë e Tiranës, sa herë që pastrohet një kënd, sa herë ikin ferrat, mbeturinat dhe sa herë që largohen makinat për t’i hapur rrugë një këndi fëmijësh. Jam shumë i lumtur që në Njësinë 9, këndi më i ri, këndi i 50-të i lodrave në Tiranë, në rreth 50 muaj punë që kemi në Bashkinë e Tiranës, u bë realitet falë ndihmës fantastike që na kanë dhënë kolegët e miqtë e DigitAlb”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pas përurimit të këndit.

Ai tha se ajo në të cilën duhet të fokusohemi është si do duket Tirana në 50 vitet e ardhshme. “Me aplikacionin FaceApp mund të shohim se si do dukemi pas 50 vitesh, por nëse duam të dimë si do duket Tirana pas 50 vitesh, do të duhet të ndërtojmë kënde lodrash, ku fëmijët mësojnë si të luajnë në komunitet, si humbasin, si fitojnë, të mësojnë si rrëzohen, por të mësojnë edhe si të ngrihen përsëri në këmbë. Ndaj, mendoj se FaceApp i qytetit janë këndet e lodrave. Aty kuptojmë si do duket qyteti pas 50 vitesh, nëse do jemi më solidarë, më të civilizuar, më të pastër, nëse do dimë të luajmë në skuadër, nëse do kemi një ndjesi komunitare. Për Tiranën e 50 viteve që vijnë, besoj se kemi bërë investimin e duhur”, tha Veliaj.