Këndi i Ekspertit/ Analizat laboratorike, kur duhet të bëhen dhe sa rëndësia e tyre

31 Mars 2019, 08:18 | Përditesimi i fundit: 2019-04-08 06:37:44

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Lidra Zikaj, mjeke Laboratori, pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka sqaruar fillimisht se kur duhet të drejtohemi te mjeku i laboratorit, rëndësinë e analizave laboratorike dhe se sa shpesh duhen bërë ato për të parandaluar disa sëmundje të rrezikshme. Më pas doktoresha Lidra Zikaj u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve në Report TV.

Sot do të flasim për analizat laboratorike. Kur duhet të drejtohemi te mjeku i laboratorit?

Laboratori është një sektor shumë i rëndësishëm në mjekësi. Mjekësia laboratorike është një nga ato disiplina, të cilat, pavarësisht jo shumë në dukje, por jep gati 80% të rezultateve për vënien e një diagnoze apo për ndjekjen e një diagnoze të një pacienti, me të cilën ne përballemi çdo ditë. Klinicisti apo mjeku specialist është ai, i cili nëpërmjet analizave laboratorike dhe sigurisht atyre imazherike, mund të japë drejtim për patologjinë me të cilën pacienti vuan, dyshon apo simptomën me të cilën ai ka shkuar drejt mjekut specialist.

Dhe sigurisht, laboratori këtu, në këtë mes, është shumë i rëndësishëm.