Këndi i Ekspertit/ Glaukoma e syrit si parandalohet dhe si trajtohet

5 Maj 2019, 09:22

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë i ftuar Eugen Dautllari, mjek okulist pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për sëmundjen e glaukomës së syrit ose siç njihet ndryshe tensioni i syrit. Mjeku ka sqaruar fillimisht se çfarë është kjo sëmundje dhe a mund të parandalohet parandalohet. Më pas ai ka sqaruar se cilat janë ekzaminimet e duhura për diagnostikimin e glaukomës së syrit dhe se si trajtohet ajo, duke shpjeguar edhe faktorët e riskut. Më pas mjeku Eugen Dautllari u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Do të flasim sot për glaukomën e syrit ose për tensionin e syrit, siç njihet ndryshe. Çfarë është kjo sëmundje? A parandalohet ajo? Cilat janë ekzaminimet e duhura për diagnostikimin e glaukomës së syrit? Si trajtohet ajo? Cilët janë faktorët e riskut? A shërohet kjo sëmundje?

Glaukoma është vjedhësi i heshtur i shikimit. Si fillim, merr shikimin periferik pastaj merr edhe pjesën qendrore dhe kështu çon deri në verbëri. Kjo sëmundje mund të parandalohet. Por glaukoma nuk mund të trajtohet plotësisht sepse atë që ka marrë nuk e kthejmë dot më. Për këtë arsye janë shumë të rëndësishme kontrollet te mjeku specialist për të monitoruar tensionin e syrit.

Tensioni i syrit monitorohet në dy mënyra: ose duke ulur prodhimin e lëngut të syrit, ose duke rritur rrjedhjen e tij nëpërmjet këndit të syrit.

A ekziston mundësia që një pacient të jetojë me sëmundjen e glaukomës dhe të mos verbohet?

Ka mënyra me të cilat mund të jetosh gjatë gjithë jetës me glaukomë dhe të mos arrihet verbimi. Por, kur është arritur momenti final, nuk ekziston më as mundësia më e vogël që pacienti të shërohet.

Në rastin e glaukomës, ndodh kur nervi optik, i cili transmeton imazhet në tru, në momentin kur ushtrohet presion nga tensioni i lartë, ai atrofon ose dëmtohet dhe, si pasojë, nuk transmeton më imazhet në tru. Fillimisht glaukoma fillon nga pjesët periferike të syrit, dhe në fund lë pjesën anësore, dhe zakonisht në këtë fazë pacientët fillojnë ta kuptojnë dëmtimin. Zakonisht, kur vijnë te mjeku okulist për diagnostikimin e parë, njëri nga sytë ka dëmtime të avancuara, ndërsa tjetri është ende në gjendje të mirë.

Sot ka aparate për matjen e tensionit të syrit, por pacienti nuk ka asnjë mundësi që ta bëjë këtë gjë në shtëpi, siç bëhet zakonisht matja e tensionit arterial. Për të matur tensionin e syrit pacienti duhet patjetër që të shkojë te mjeku okulist. Edhe në rastet kur pacienti shkon te mjeku okulist për një vizitë apo kontroll rutinë, bëhet matja e tensionit të syrit. Aty shihet edhe pjesa e pasme e syrit, pra shikohet nervi për të cilin folëm pak më parë. Dhe pas këtij kontrolli, mjeku vendos pastaj për diagnozën. Që mjeku të arrijë në përfundimin se pacienti vuan nga glaukoma e syrit duhet që, të paktën, të konstatojë dy nga faktorët kryesorë: tensionin e lartë në sy dhe dëmtimet në nerv. Këta dy faktorë i analizojmë edhe duke bërë një skaner të syrit, ku analizohet koka e nervit, ssi edhe fusha periferike e cila na krijon atë pamjen e nxirë.