Këndi i Ekspertit/ Ku dhe si regjistrohet kontrata e shit-blerjes së pronës

8 Maj 2019, 13:55

Në emisionin e mirënjohur të Report TV, “Këndi i Ekspertit”, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar se ku dhe si regjistrohet kontrata e shit-blerjes së pronës. Eksperti i pronave ka sqaruar se çfarë dokumentesh i duhen një qytetari për të realizuar kontratën e shit-blerjes si dhe se çfarë roli luan Kadastra në lidhje me zyrat noteriale për shit-blerjen e pronës. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët

Sot do të flasim për regjistrimin e kontratës së shit-blerjes së pronës. Kur regjistrohet kjo kontratë? Çfarë roli luan institucioni i Kadastrës në lidhje me zyrat noteriale? Çfarë dokumentesh i duhen një qytetari për të realizuar kontratën e shit-blerjes?
Shit-blerja e pronës që përkthehet në nenin 42 të Ligjit për Kadastrën, ka vlerën e vet dhe përmban disa pika me rëndësi dhe me vlerë për ata qytetarë, të cilët janë të interesuar që të merren me shitjen ose me blerjen e një prone.

Ku regjistrohet kontrata e shit-blerjes?
Kontrata e shit-blerjes regjistrohet në institucionin e Kadastrës ose të ish-Hipotekës. çdo qytetar që blen një pronë, veprimi i parë që duhet të bëjë është regjistrimi i pronës në zyrat e institucionit të Kadastrës, të cilat ndodhen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kadastra është e vetmja zyrë ku regjistrohet prona.

Çfarë roli luan Kadastra në lidhje me zyrat noteriale për shit-blerjen e pronës?
Kadastra është institucioni që garanton qytetarin, i cili ka një pronë, por njëkohësisht edhe zyrën noteriale, e cila merr përsipër lidhjen e kontratës. Pra, qytetarët duhet të dinë që kontrata e shit-blerjes së pronës lidhet pranë një zyre noteriale. Zyrat noteriale aplikojnë dhe marrin direkt nga sistemi i Kadastrës dokumentet e duhura për të bërë vërtetimin e pronës që shitet apo blihet. Këtë siguri zyrave noteriale ua jep Kadastra.