'Këndi i Ekspertit'/ Oborret në përdorim, si përfitohet pronësia

20 Shkurt 2019, 08:14

Në emisionin tashmë të mirënjohur në Report TV, “Këndi i Ekspertit”, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën e kësaj jave “Prona ime” ka qenë i ftuar Gjergji Begaj. Eksperti i mirënjohur i çështjeve të pronave ka folur për një çështje shumë të rëndësishme siç është ajo e oborreve në përdorim. Begaj ka sqaruar se si përfitohet pronësia dhe cilat janë gjashtë dokumentet e rëndësishme që duhen. Më pas eksperti u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve në Report TV.

Do të flasim sot për oborret në përdorim. Si përfitohet pronësia dhe cilat janë ato gjashtë dokumente të rëndësishme që duhen?

Si të gjitha temat e tjera për të cilat ne kemi diskutuar, edhe kjo temë ka rëndësinë e saj. Ka shumë qytetarë të cilët nuk e njohin, por për pronarët e interesuar është bërë një temë e përditshme në zyrën e hipotekës dhe në zyrën e trajtimit të pronave, për arsyen se në këto dy zyra kalon kjo linja e oborrit në përdorim. Të flasim pak për historikun se si këto prona, të cilat quhen oborre në përdorim, kanë kaluar. Atëherë, rreth vitit 1976, ish-pushteti i atëhershëm nxorri një vendim, ku në pjesën më të madhe në qytete, në të cilat kishte prona private, ua shpronësoi pa shpërblim, d.m.th. ua hoqi nga përdorimi oborret që i kishin në pronësi dhe i quajti oborre në përdorim për arsyen se në momentin që shtetit i duheshin për t’i përdorur për pallate apo për ndërtime sociale etj., t’i merrte pa shpërblesë këto oborre. Prandaj ky ishte qëllimi. Këto ndahen në dy kategori. Kemi oborre në përdorim, të trashëguara para luftës, që janë blerë nga ish-pronarët e vjetër me florinj apo me monedhat e asaj kohe; por kemi edhe oborre të kohës së monizmit, që janë dhënë nga shteti në përdorim dhe përsëri, në vitin 1976, shteti ua hoqi nga përdorimi. Pas vitit 1991, me fillimin e procedurave, ku pati ndryshime në të gjithë legjislacionin e pronave, dhe në vitin 1993, kur filloi edhe ndryshimi i legjislacionit të pronave, atëherë u fut edhe termi për këto prona, për t’ia kthyer pronarëve të ligjshëm me një nga format e ligjit, me shpërblim ose pa shpërblim.