Këndi i Ekspertit/ Tumori rektal, simptomat e sëmundjes dhe trajtimi

28 Prill 2019, 12:26

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë i ftuar Fabjon Mustafai, mjek pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për tumorin rektal ose siç njihet ndryshe kanceri i fundit të zorrës së trashë. Mjeku ka sqaruar se çfarë është ky tumor dhe cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje. Ai ka folur më pas për rëndësinë e diagnostikimit në kohë dhe të trajtimit të kësaj sëmundje. Më pas mjeku Fabjon Mustafai u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Do të flasim për tumorin rektal. Çfarë është ky tumor? Cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje? Cila është rëndësia e diagnostikimit në kohë dhe e trajtimit?
Tumori rektal është kanceri rektal. Është një sëmundje e keqe, siç thuhet në gjuhën popullore. Kjo sëmundje e ka origjinën nga pjesa e fundit e zorrës së trashë, pra nga rektumi. Sëmundja shkaktohet nga shumimi pa kriter i qelizave të epitelit, kryesisht, të shtresës së brendshme të zorrës së trashë. Është një patologji, e cila në ditët e sotme është shumë e përhapur. Ka një rritje edhe në moshat e reja, gjë që e bën këtë patologji edhe më problematike. Sëmundja është shumë e rrezikshme sidomos në ato raste kur zbulohet në etapa shumë të vonshme të zhvillimit të saj. Në ditët e sotme, si pasojë e përmirësimit edhe të kushteve mjekësore, të depistimit mjekësor, të terapive të ndryshme, kemi një prognozë ose një jetëgjatësi shumë të mirë sesa ajo e para 10 viteve apo e para 20 viteve. Kemi një sërë kriteresh shumë të rëndësishme, të cilat duhen ndjekur nga e gjithë popullata.