'Kërkesat e Ligës Profesioniste politike', Prodani: Në botë dënohesh rëndë për bojkot

15 Shtator 2020, 15:11

Në një kohë kur Liga Profesionist e Futbollit është në qendër të vëmendjes për shkak të kërkesave ndaj qeverisë për të nisur kampionatin, ish-sekretari i FSHF-së Eduard Prodani, bën akuza të rënda ndaj saj. Për Report TV ai thotë se Liga Profesioniste është thjeshtë një emër dhe se nuk ka asnjë kompetencë, pasi dikush tjetër fshihet pas saj.

“Do doja të sqaroja që unë nuk e besoj se Shqipëria ka Ligë Profesionistë. Është thjeshtë një titull, por Ligë Profesioniste do të kishim kur kjo organizatë ka kompetencë organizimin e kampionatit dhe të gjithë gjërat që rrjedhin nga këto,”-shprehet Prodani.

Kur pyetet se cilat janë motivet që Liga kërkon të negociojë vetëm me kryeministrin dhe jo përfaqësuesin e qeverisë për kërkesat, Prodani thotë se ka prapavijë politike.

“Përsa i përket kërkesave që janë bërë dhe bojklotit është një hap I nxituar dhe jo në të mirë të futbollit. Madje me dyshime shumë të forta për t’u paragjikuar apo konsideruar e nxituar jo për arsyet e futbollit, por për arsye të jashtme. Në rastin më të keq për arsye politike,”-deklaroi ai.

Më tej ish-sekretari i FSHF-së deklaron se kurrsesi bojkoti i kampionatit nuk është një zgjidhje, por vetëm dialogu.

“Unë jo vetëm që nuk jam dakord me bojkotin por du të them që është një fjal e ndaluar në futboll. Provo të bësh bojkot në një garë ndërkombëtare dhe e shikon se çfarë dënimi merr apo trajtimi të bëjnë,”-tha ai.