Kineasti Kristaq Dhamo:Historisë si vihet kryq! Turp, që bëjmë një film në vit

17 Tetor 2019, 17:08

Në dekadat e para të kinematografisë shqiptare, një ndër kineastët që ka dhënë kontributin më të madh është regjisori Kristaq Dhamo. Gjatë viteve të fundit jeta e tij është e ndarë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Kësaj here e takojmë në kinema në premierën e filmit “Inane” me regji të Besnik Bishës. I gjendur mes ish- kolegësh edhe miqsh,  zëri i shquar i kinematografisë shqiptare nuk heziton që të ndajë me ne, vlerësimin e tij për kineastët e rinj, të cilët duhet mbështetur më shumë nga shteti.

“Të gjithë ne kineastët më të vjetër kemi pasur besim të madh tek të rinjtë. Janë po këta të rinj, që u kanë dhënë guxim edhe të rinjve të tjerë. Sot ne kemi të rinj shumë të mirë, që duhet ndihmuar më shumë”, shprehet kineasti i njohur Kristaq Dhamo.

Kur e pyesim se mes këtyre të rinjve, ka edhe artistë që ndajnë tjetër mendim për kinemanë e para viteve ’90, aq sa kërkojnë ndalimin e filmave, kineasti shprehet se:

“Këtë e thonë më tepër ata që duan të bëjnë një politikë jo të drejtë. Arti është art në çdo epokë. Mirë apo keq, ai është shenjë e historisë. Historia duhet respektuar! Ajo që, të ndalohen filmat më duket një idiotësi, sepse do t’i vësh kryq një historie. Por historisë nuk mundet që t’i vësh kryq. Mundet që ta kritikosh, historia duhet njohur, sepse kur e njohim mirë na çon përpara. Por filmi është një nga mjetet më të mira për njohjen e historisë. Sot edhe sociologët edhe historianët kudo në botë po i rikthehen filmit, sepse studjojnë në të se si mendonte, si kanë qenë të veshur edhe se si hante e pinin njerëzit, me të mirat e të këqijat e tyre. Le të shikojmë dokumentarët që i kritikojnë më shumë. Hiqi tekstin, sepse dihet që ai më së pari i shërbyet propagandës së kohës, por fotografia është reale, nuk gënjen. Kinematografia e para viteve ’90 është pjesë e historisë edhe si pjesë e historisë duhet trajtuar me të mirat edhe të këqijat. Por jo t’i vihet kryq”, shpjegon më të Dhamo.

Ndonëse, regjimi komunist ka ndikuar në punën, që asokohe bëhej në ish-Kinostudio, kineasti na rrëfen, se shumë regjisorë kanë ditur ta shprehin mendim e tyre përparimtar.

“Natyrisht që kishte kufizime, por regjisorët tanë gjenin mënyrën që të shprehnin mendimin më përparimtar që ishte lejuar të thuhej në atë kohë. Më tepër këtë mendim e thoshin përmes personazhit negativ, bënin kritikat që indirekt ishin për atë regjim. Sot natyrisht që ka mundësi shumë më të mira, por duhet ndihmuar më shumë, se me kaq pak para që jep shteti edhe me mungesë sponsorizimi, të bësh dy filma në vit është pak”.

Përsa sa i përket distribucionit të filmave në kinema, Dhamo mendon se artistët duhet që të jenë më kërkues ndaj shtetit, që konsideron si arritje realizimin e një filmi gjatë një viti.

“Ajo është zero. Edhe është e çuditshme, që nuk e kuptojnë. Kinestët e rinj, kolegët e mi duhet të punojnë më shumë, që ta detyrojnë qeverinë ta bëjë. Bisedoj me shumë të rinj edhe ata e kanë harruar kinemanë. Kinemaja jep emocione të tjera, në tv në shtëpi nuk ndodh e njëjta gjë. Kjo nuk është se nuk i jep kinemasë të ardhura, por nuk e mëson brezin e ri, që të mësojë të çmojë atë që duhet çmuar. Filmi e ka vendin në kinema. Televizioni luan rol shumë të madh, por Shqipëria është i vetmi vend që nuk kemi kinema. Ky është turp. Edhe është i vetmi vend në botë që ne mburremi se bëjmë një film në vit. Edhe ky është turp”.

Realizimi i filmit “Tana” (1958) me regji të Kristaq Dhamos, e njohur si vepra e parë artistike me metrazh të gjatë në vendin tonë, e rikthehen kineastin edhe një herë tek puna e madhe që është bërë për të asokohe.

“Unë kisha vite 30 apo 40 vite që nuk e kisha parë në kinema. Përpara dy muaj m’u dha rasti. Më kujtoi atë kohë, në shumë drejtime, sepse kur bëmë atë film, nuk kishte absolutisht asgjë. Vetëm unë dija diçka, por me ato pak mundësi që kishim bëmë diçka së bashku”.

Kineasti i njohur Kristaq Dhamo përfundon duke rrëfyer se asokohe artistët e donim edhe çmonin shumë kinemanë. Prandaj, përpiqeshin që të ishin vetvetja. Këtë gjë duhet ta bëjnë sot edhe kineastët e rinj, nëse nuk duan që regjisura të kthehet në një profesionist të thjeshtë.