KLGJ nis verifikimet për anëtarët jo gjyqtarë të Gjykatës së Lartë

11 Shtator 2019, 13:32

TIRANE-Tetë janë juristët që kalojnë fazën e parë të verifikimit duke vijuar garën për në Gjykatën e Lartë. Nga 22 kandidatë që aplikuan, 13 nuk janë kualifikuar, njëri është tërhequr dhe vetëm 8 kanë mundur që të kalojnë këtë fazë për të vijuar garën.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka siguruar listën me emrat që kanë kaluar duke vijuar garën dhe atyre që nuk janë kualifikuar, por edhe asaj që është dorëhequr. Mes emrave të njohur që vijojnë garën janë Theodhori Sollaku, ish-Prokuror i Përgjithshëm, por edhe Sokol Sadushaj, që është drejtori i Shkollës së Magjistraturës.

22 kandidatët aplikuan për tre vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Tashmë Këshilli i Lartë Gjyqësor do të përzgjedhë fituesit nga tetë kandidatët që janë në garë për në Gjykatën e Lartë.

Sot pritet që të shpallet vakanca edhe për një tjetër vend në Gjykatën e Lartë pas shkarkimit të kryetarit të këtij institucioni nga vettingu, Xhezair Zaganjori. Aktualisht Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm me një anëtar, Ardian Dvoranin, që është edhe kryetar i KED-së, pasi të tjerët, disa u shkarkuan nga vettingu dhe të tjerët u larguan vetë.

Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë, ku 16 prej tyre duhet të jenë gjyqtarë karriere dhe 3 nga avokatia, shoqëria civile, pedagogë ose jurist i shquar me mbi 15 vjet punë. Të parët që do të zgjidhen për anëtarë të kësaj gjykate, do të jenë 3 anëtarët që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë.