Kodi Penal/ Gjonaj: Roli i Prokurorëve thelbësor, të hetohet me përgjegjmëri

18 Korrik 2019, 12:52

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se ndryshimet në kodin penal janë një domosdoshmëri jo vetëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë por dhe për të qenë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.

"Protestat e dhunshme të opozitës nuk janë thjesht disa veprime kriminale të zakonshme por cenojnë edhe sigurinë e punonjësve me uniformë. Nevoja për mbrojtjen e mjedisit me rritjen ekonomike ka reaguar se legjislacioni sektorial ka nevojë për plotësime. Ndryshime të tjera lidhe me sigurinë ushqimore e cila meriton një vëmendje të veçantë. Këto ndryshime propozohen edhe në vijim të ndryshimeve ligjore të miratuara pak kohë më parë. Lufta ndaj kriminalitetit është gjithë përfshirëse. Jam e vetëdijshëm për shqetësimet se Kodi Penal ka pësuar shumë ndryshime por ka ardhur koha të përgatitet një Kod i ri penal. Ai është një domosdoshmëri e kohës. Kjo iniciativë kërkon një analizë të plotë të situatës aktuale si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e BE.  

Për këtë qëllim, roli që luan çdo prokuror, në ndjekjen penale, veçanërisht të veprave penale që cënojnë rëndë rendin publik, apo edhe punonjësit e policisë së shtetit, duke ulur në këtë mënyrë, perceptimin e përgjithshëm për mirëfunksionimin e shtetit, është shumë i rëndësishëm. Vetëm nëpërmjet profesionalizmit të prokurorëve, për të ndjekur penalisht të gjitha veprat penale, veçanërisht ato që cenojnë institucionet kushtetuese, pavarësisht se kush është organizatori apo nxitësi i këtyre veprave penale, Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë rezultate të jashtëzakonshme në luftë kundër kriminalitetit", tha Gjonaj.