Koeman thërret Messi-n në apel, Zidan rrezikon postin! Të shtunën Barca-Real me disa mungesa

23 Tetor 2020, 15:57

Të shtunën në orën 16:00 në Camp Nou do të luhet ndeshja më e rëndësishme e La Liga-s apo siç njihet ndryshe El Clasico, mes Barcelonës dhe Real Madrid. Të dy skuadrat vijnë pas humbjeve në kampionat, por për momentin stoli i Real Madrid djeg më shumë, pasi skuadra e Zidan zhgënjeu thellësisht edhe në Champions League, teksa u mposht në Madrid nga Shakhtar Donetsk. Mediat e rëndësishme në Spanjë thonë se një tjetër humbje mund t’i kushtojë shtrenjtë Zidan.

Edhe pse është shumë herët kjo ndeshja mund të përcaktojë shumë në sfidën për titull, për të parë edhe se kush skuadër është për t’u mundur. Për t’ia dalë Kuman ka thirrur në apel Lionel Messi-n, argjentinasin që në verë dëshiroi të largohej, por që mbetet një ekspert i ‘El Clasicco-s’.

Për këtë ndeshje blaugranët nuk do kenë të disponueshëm Ter Stegen dhe Umtiti-n, për shkak dëmtimi, ndërsa Jordi Alba është në pikëpyetje. Te Real Madrid për të njëjtën arsye do të mungojnë Hazard, Carvajal dhe Odegard, ndërsa në dyshim janë Odriozola dhe Mariano.

Në 33 ndeshjet e fundit të zhvilluara në Camp Nou Barcelona është mposhtur vetëm një herë, ndërsa Real Madrid është i pamposhtur në 8 ndeshjet e fundit në transfertë. Aktualisht ‘galaktikët’ mbajnë vendin e parë në kampionat, me 10 pikë, po aq sa 3 skuadra të tjera.