Kohët e vështira/ Tifozët e Skënderbut bëjnë suprizën e veçantë për futbollistët, zbresin në fushë për t’i motivuar

28 Janar 2021, 14:24

Skënderbeu në dekadën e kaluar ka qenë model frymëzimi për të gjithë klubet shqiptari, pasi ia arriti në dy raste që të kualifikohet në grupet e Europa League. Tani kohërat kanë ndryshuar dhe dënimi nga UEFA ka bërë që klubi korçar të luftojë për mbijetesë në Superligë, pasi aktualisht renditen të fundit me 12 pikë.

Mirëpo gjatë gjithë kësaj periudhe ata që nuk kanë ndryshuar janë tifozët. Këta të fundit kanë bërë sot një gjest shumë të veçantë në ambientet e fushave ku stërvitet Skënderbeu.

Tifozët i janë bashkuar lojtarëve në fushën e gjelbër duke iu folur dhe duke iu dhënë zemër për ndeshjet e ardhshme. Pritej e kundërta, por tifozët korçarë po tentojnë ta kthejnë dhimbjen në forcë.

Pasi kanë ndenjur në fushë për disa çaste tifozët më pas janë zhvendosur në tribunë ku kanë kënduar në mbështetje të skuadrës. Duhet theksuar se tifozët, për shkak të situatës me pandeminë, nuk lejohen të futen në stadium.