Kolapsi në Gjykatën e Lartë, KLGJ: Do caktohen gjyqtarë të përkohshëm vetëm për ekstradimet

23 Korrik 2019, 18:26

TIRANE-Në kushtet e kolapsit të Gjykatës së Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e sotme ka gjetur një zgjidhje provizore duke vendosur të operojë me caktimin e gjyqtarëve nga gjykatat më të ulëta në Gjykatën e Lartë për çështje të caktuara gjyqësore që kanë të bëjnë vetëm me ekstradimet.  

Propozimi u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndërkohë që trupat gjyqësore që do të zgjidhet me short do të përbëhen nga anëtarë që plotësojnë dy kushte; e para të kenë kaluar vettingun dhe e dyta që të kenë 13 vite eksperiencë.

Pak muaj më parë ishte misioni i BE-së në vendin tonë “Euralius V” që për të tejkaluar fazën emergjente propozoi plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë me një skemë provizore duke caktuar anëtarë ‘të përkohshëm’. Një propozim të tillë Presidenti Ilir Meta e kundërshtoi hapur duke i kërkuar pak javë më parë KLGJ-së informacion.

Por sipas burimeve nga KLGJ-së, zgjidhja e përkohshme që u miratua sot nuk është e njëjta me atë që propozoi Euralius, pasi misioni i BE-së kërkonte që gjyqtarët të funksiononin për një periudhë 6 mujore dhe jo sikur u miratua sot, vetëm për cështjen e ekstradimeve.

Ndërkohë që sot, ReportTv zbardhi disa nga emrat e juristëve të cilët kanë kandiduar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për t'u bërë gjyqtar të Lartë, teksa afati përfundon nesër.  

Gjykata ka ngelur me vetëm dy gjyqtarë, kryetarin Xhezair Zaganjori (pritet vendimi nga Kolegji) dhe Ardian Dvoranin, që është kreu i KED. Të dy ata që së bashku nuk mund të formojnë as një trupë gjyqësore .