Kombinat, hapen 6 zyra të reja të aplikimit për dokumente biometrike, Lleshaj apel emigrantëve

2 Dhjetor 2020, 14:48

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të aplikojnë për dokumentet biometrike edhe në 6 zyra të reja që hapen në 5 kryeqytete evropiane dhe në konsullatën e Barit. Lajmin e dha sot ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili ishte për inspektim në zyrën e aplikimit për dokumente biometrike, në Njësinë Administrative nr. 6, Kombinat. 

Ai, duke njoftuar hapjen e 6 zyrave të reja të aplikimit për dokumente biometrike pranë Konsullatës në Bari Itali, si dhe ambasadave shqiptare në Vjenë, Austri, në Paris, Francë, në Berlin, Gjermani, në Stokholm, Suedi dhe në Stamboll, Turqi, ftoi qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë.

"Vitet e fundit, Qeveria ka zgjeruar shumë përpjekjet për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. Sot jemi në një zyrë të tillë, ku ofrohen shërbime për një kategori të madhe shërbimesh. Duhet thënë se zgjerimi i shërbimeve kërkon dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim që të rritet prania e tyre në shërbimeve online. Një pjesë e madhe e shërbimeve sot kanë kaluar online dhe numri i tyre po shtohet nga dita në ditë, ndaj kërkohet që qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi.

Përmes shërbimeve online janë kursyer shumë andralla, shumë përpjekje, shumë kohë, shumë para, që qytetarët e shpenzonin për të marrë shërbime elementare, të cilat tani mund t’i marrin vetëm me një klik nga kompjuteri i shtëpisë së tyre nëse do të bëhen pjesë e këtij procesi. Por që të bëhen pjesë e këtij procesi është e rëndësishme që qytetarët të mund të identifikohen, e për këtë arsye pajisja me ID kartë është thelbësore. ID karta është çelësi, është kyçi që hap derën për të gjitha këto shërbime online apo dhe në mënyrë fizike. Ndaj e shfrytëzoj mundësinë sot për t’u bërë thirrje qytetarëve që të nxitojnë për të aplikuar pranë zyrave të ndryshme të aplikimit, si kjo që jemi sot, apo të tjera në gjithë vendin, me qëllim që mos të befasohen kur t’u kërkohet kartë e re identiteti.

    No videos found.