Komisioni Evropian propozon që qytetarët e vaksinuar të mund të udhëtojnë drejt BE

3 Maj 2021, 15:52

Pas një fushate të sukseshme vaksinimi dhe rënie të konsiderueshme të numrit të të infektuarve Komisioni Evropian ka propozuar sot lehtësimin e kufizimeve aktuale për udhëtimet jo-thelbësore në BE, duke ngjallur shpresë edhe për shqiptarët që duan të kalojnë pushimet në një nga vendet evropiane.

Lajmin e dha me anë të një postimi në Twitter Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke dhënë kështu shpresë për ringjallje të turizmit.  Në postimin e saj kryekomisionerja shkruan se BE rekomandon rinisjen e udhëtimeve të vizitorëve të vaksinuar kundër COVI-19, si dhe qytetarëve të cilët vijnë nga vende me situatë shëndetësore të mirë, sa i përket pandemisë.

Komisioni propozon të lejojë hyrjen në BE për arsye jo thelbësore jo vetëm për të gjithë personat që vijnë nga vendet me një situatë të mirë epidemiologjike, por edhe për të gjithë njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të njërës nga vaksinat e miratuara nga EMA. Në propozimin e paraqitur nga Komisioni, mundet të përfshihen edhe vaksinat që kanë marrë miratimin për përdorim emergjent OBSH. Për më tepër, Komisioni propozon të ngrejë pragun e incidencës në lidhje me numrin e rasteve të reja COVID-19 e përdorur për të përcaktuar një listë të vendeve nga të cilat duhet të lejohen të gjitha udhëtimet, duke krijuar kështu mundësi për zgjerimin e kësaj liste. Aktualisht në BE, janë të pranuar pa kufizime vetëm qytetarët e 7 shteteve. 

Në bazë të rregullave të fundit shtetet Anëtare duhet të lejojnë udhëtimin në BE të atyre njerëzve që kanë marrë 14 ditë para mbërritjes, dozën e fundit të një vaksine që ka marrë autorizimin për përdorim emergjent në BE. Për më tepër,parashikohet edhe heqja e karantinë dhe testit negativ PCR për të gjithë të vaksinuarit, edhe për personat jashtë BE.