Komiteti Teknik i Ekspertëve: Karantinë e detyruar 2 javore për ata që vijnë nga Greqia e Maqedonia!

19 Prill 2021, 23:15

Është rikthyer karantina e detyruar 2 javore për qytetarët që vijën nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Kjo u bë e ditur sot nga Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, gjatë një konference për shtyp,e cila tha se shkak për këtë vendim janë bërë shifrat shqetësuese në këto dy vende fqinje. Karantina e detyruar për qytetarët nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do jetë në fuqi deri më 3 maj.

Po ashtu, Rakacolli bëri me dije se një tjetër vendim i marrë nga Komiteti është edhe rikthimi në klasa i nxënësve të viteve të para dhe të dyta në gjimnaze. Ndërkohë mbesin të pandryshuara edhe për dy javët në vijim masat e tjera anti-COVID të vendosura më parë.

Kujtojmë se ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit, mbetet e ndaluar i grumbullimi i më shumë se 10 personave, ndërsa universitetet dhe gjimnazet, me përjashtim të maturantëve edhe klasave të para dhe të dyta, vijojnë mësim online.

Ndërkohë, Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico u shpreh se situata me pandeminë në vend po përmirësohet, ku u tha se indikatorët tregojnë një ulje. Ajo theksoi mes të tjerash se Tirana ka numrin më të lartë të rasteve aktive me COVID, kjo për shkak të grumbullimeve, duke shtuar se ka një rritje të numrit të infeksioneve në Gjirokastër, Korçë e Berat, situatë që po monitorohet.