Komunizmi shkakton debat në Kuvend/ Braho-Tufës: Largohu neo-fashist! Kreu i Ballit: Budalla!

23 Maj 2019, 18:08

Agron Tufa, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka paraqitur ditën e sotme në Kuvend raportin e veprimtarisë vjetore të Institutit për vitin 2018. Ai tha se ish-sigurmsa të shtetit janë sot në poste drejtuese, ndërsa hodhi akuza se shumë institucione nuk u janë përgjigjur kërkesave të Institutit që ai drejton për dhënie informacion. Myslim Murrizi tha se institucionet nuk japin informacion, pasi kanë frikë se nxjerrin pisllëqet e tyre.

Në përgjigje të Tufës, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj largoi përgjegjësinë nga vetja duke thënë se kërkesat drejtuar ministrisë nuk janë bërë në kohën që ai është ministër i Brendshëm, por në 2018, duke ia kaluar Fatmir Xhafajt.

Ndërkohë që i ashpër ishte reagimi i Spartak Brahos, që e cilësoi Tufën neo-fashit që sipas tij e ka kthyer Institucionin në celulë të Ballit Kombëtar. Braho i kërkoi Tufës që të largohet nga drejtimi i Institutit, ndërsa më pas reagoi kryetari i Ballit Kombëtar duke lëshuar ofendime dhe akuza ndaj deputetit socialist.

Debati në Kuvendin e Shqipërisë
Agron Tufa: Mënjanimi i ish-oficerëve të Sigurimit të shtetit të cilët janë në institucionet shumë të rëndësishme që financohet nga buxheti i shtetit, kanë arritur një nivel tejet të lartë, absurd dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike. Me përjashtim të fare pak institucioneve në varësi të Kuvendit apo Kryeministrit, pjesa dërrmuese e institucioneve të varura dhe të pavarura të shtetit, as denjojnë t’i binden ligjit për informimin, duke shkelur kështu çdo të drejtë Kushtetuese mbi informimin. Ne jemi të bindur se krerët e këtyre institucioneve i mbrojnë haptazi, e madje me arrogancë ish oficerët e sigurimit në poste drejtuese, kjo është e amoralshme sepse ky kontingjent nuk e ka vendin në institucionet e shtetit tonë, qoftë edhe për pa përputhshmëri diplome.

Myslim Murrizi: Ju keni thënë se nuk na ka dhënë informacion Helidon Bendo, Bilbil Mema apo Sandër Lleshaj. Institucionet nuk japin informacion se kanë frikë se nxjerrin pisllëqet e tyre. Ndaj kanë frikë që të bëjnë një ligj për hapjen e dosjeve. Dosjet duhen hapur për politikën, boll më të ketë spiunë në këtë sallë. Duhet të hapen me zot. Sill propozimin për ligjin.