Koncert për fëmijët talasemikë, primabalerina: Një kauzë që na prek të gjithëve, nuk duhet të mendojmë vetëm për veten

18 Mars 2019, 15:14 | Përditesimi i fundit: 2019-03-18 15:34:25

Adela dhe Anxhelo Muçollari, motër e vëlla kanë vendosur që paratë e mbledhura nga koncerti i tyre i parë recital ti çojnë për fëmijët e prekur nga talasemia.  Të titulluar  “Në majë të gishtërinjve”, ky koncert , një shembull për tu ndjekur nga të gjithë, dhuroi për spektatorët 3 netë me performanca të kompletuara me pjesë klasike, neoklasike dhe kontemporane, muzikë live, por dhe shou për publikun. E ftuar në emisionin “”Rreze Dielli” në Report Tv, primabalerina e Teatrit Kombëtar të Baletit Adela Muçollari tha se kjo është një kauzë që na prek të gjithëve e të gjithë duhet të bëjmë sa të mundemi për këta fëmijë.

Më pëlqen shumë të ndihmoj njerëzit dhe menduam me Anxhelon, duke qënë se jemi me një gjak dhe është recitali ynë i parë, këto të ardhura ti çojmë për fëmijët me sëmundje gjaku. Është një kauzë që na prek të gjithëve. Janë ata njerëz që kanë nevojë për mbështetje dhe unë mendoj që kur je i vogël dhe nuk ke forca ke nevojë për mbështetje. Kur rritesh dhe arrin tia dalësh , çdo njeri punon për vete. Po për ata kush punon? Mendoj që fëmijët kanë nevojë më shumë për dashuri.

Adela Muçollari, primabalerinë TKOB

E pyetur se si është pritur kjo  shfaqje për publikun e gjerë, primabalerina u shpreh se fatkeqësisht në Shqipëri ka ende nga ata persona që kërkojnë ftesa edhe për kauza të tilla, por në të njëjtën kohë kishte shumë të tjerë që ofruan donacionet e tyre.

Mua më jep sadisfaksion jashtëzakonisht të madha jo skenë dhe fakti që unë pata gjithë atë publik për të më duartrokitur mendoj që edhe ata dua ti bëj të lumtur. Nëse jemi të gjithë të lumtur, kjo botë funksionon pak më mirë, atëherë le ta shpërndajmë lumturinë. Nuk duhet të jemi vetëm afër vetes dhe të mendojmë vetëm për veten tonë. Gjithmonë ne jemi popull që kemi dëshirë të ftohemi, e kemi dëshirën gjithmonë, por kishte edhe nga ata që ofruan donacionin e tyre.

Adela Muçollari, primabalerinë TKOB

Për 3 ditë në skenën e ArTurbina Adela dhe Anxhelo përçuan  në recitalin e tyre të parë ndjesitë e një dashurie prekëse, asaj të “Damës me Kamelie” . Me profesionalizmin e tyre  sollën në skenën e re edhe pjesë, si “Black adagio” apo mjeshtëria e kompozitorit rus të erës romantike, Çajkovskit.