Konfindustria: Të krijohet një treg i përbashkët Kosovë- Shqipëri, 'Mini Shengeni' ballkanik pozitiv

20 Tetor 2019, 15:00

Vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Novi Sad mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për bashkimin doganor i pagëzuar si Shengeni Rajonal, ka reaguar Konfindustria Shqiptare. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Konfindustria shpreh shqetësimin për marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës që kanë mbetur pa zbatim.

Teksa mbështet “Mini Shengenin” ballkanik, në deklaratë thuhet se është tepër e rëndësishme të krijohet Tregut Kombëtar Shqipëri – Kosovë, pasi marrëveshjet e shumta të nënshkruara mes dy shteteve nuk është shënuar përparim, por janë bërë hapa mbrapa.

Prezencën e barrierave doganore mes dy vendeve, siç janë taksa e Rrugës së Kombit, skaneri në doganë apo certifikatat fitosanitare sipas Konfindustrisë janë edhe arsyet se perse shkëmbimet e mallrave në muajin shtator kanë pasuar zbritje të lartë.

Reagimi vazhdon më tej duke shtuar se investimet serioze mes dy shteteve si në sektorin energjetik, infrastrukturor në transport, apo edhe teknologji mungojnë për shkak se bashkëpunimi ekonomik është ende i vogël.

E vetmja zgjidhje që konfindustria propozon është krijimi dhe funksionimi sa më shpejt i një Tregu të Përbashkët Shqipëri-Kosovë si hap i parë, që mund të shpëtojë nga falimentimi  i sigurt i bizneseve të mëdha të dy shteteve shqiptare.

Aktualisht qeveritë kanë zhvilluar një sërë takimesh dhe kanë nënshkruar shumë marrëveshje por ende nuk kanë gjetur zbatim.