Konfliktet banale që prodhojnë krime, sociologu për Report Tv: Alarmante, kriminelët e rrugës vijnë nga familje të dhunshme

24 Shkurt 2021, 18:33

Nënë e bir u qëlluan më armë për një vend parkimi mbrëmë në Durrës. Autori ishte një i ri, Erges Juba. Në këtë konflikt u përfshinë dy familje por Juba ishte ai që shtiu ndaj Flamur Çermës, 23 vjeç dhe nënës së tij Valbona Çerma, 51 vjeçe. Për sociologun Gëzim Tushi, i cili i referohet kësaj ngjarjeje, dhuna në shoqërinë shqiptare nuk po zbutet. Sociologu Tushi mendon se të rinjtë janë grupmosha kryesore e llojeve të tilla të krimeve.

“Unë gjykoj se dukuria e dhunës dhe e krimin në shoqërinë shqiptare nuk është se po zbutet. Në fakt në kohët e fundit ka filluar kjo tendencë të agravohet dhe është bërë një plagë sociale jashtëzakonisht e ndjeshme dhe shumë shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Në qoftë se do të bënim një statistikë të numrit të krimeve që ndodhin në shoqëri qoftë për arsye esenciale apo banale, është përkeqësim i klimës. Ka një lloj neurotizmi social, ka një lloj destabilizimi të sjelljes së njeriut. Ky qytetari nervoz, neurotik, agresiv, i paekuilibruar, fillon të kërkoj dominim mbi qytetarin e ekuilibruar dhe në njëfarë mënyre ka në përpjekje për të na ambientuar me këtë kulturë të dhunës dhe të krimit. Madje, duhet t’i konsiderojmë gati-gati si fenomene të zakonshme me të cilat duhet të bashkëjetojmë sepse nuk kemi se si ia bëjmë. Kjo është një gjë shumë e keqe! Për fat të keq pjesa më e madhe e krimit banal, e krimit ordiner, për arsye banale, instiktive, vijnë nga të rinjtë, të cilët e kanë mesa duket pak më të vështirë kontrollin dhe vendosjen e ekuilibrit midis arsyes dhe instikteves. Dominojnë instiktet, kanë ato veprimet agresive të pamatura, të menjëhershme, të aty për atyshme, domethënë më përpara veprojnë sesa mendojnë. Në fakt, më mbrapa bëhen pishman për atë që kanë bërë por krimi, si të thuash, është i kryer. Unë gjykoj që këtu ka shumë probleme, së pari është një problem shumë i madh edukativ, për shoqërinë shqiptare. Në dolëm në liri, kemi 30 vjet që jemi shoqëri e lirë, por mesa duket këtë liri po e shpërdorojnë kriminelët, po e shpërdorojnë njerëzit e paekuilibruar, të cilët kërkojnë ta vënë për fundi shoqërinë, shoqërinë e paqtë, e qetë, urbane, humane, njerëzit që kërkojnë të jetojnë, të jetojnë në mënyrë të qetë, të ekuilibruar. Shkaqet janë edukative padiskutim.” thotë sociologu Tushi.