Konsulli i nderit në Liban rrëfen shpërthimin për Report Tv: Moment i tmerrshëm, njerëzit po mjekohen në rrugë

6 Gusht 2020, 18:31

"Një moment i tmerrshëm", kështu e ka përjetuar Konsulli i Nderit në Liban Marc Ghorayeb çastin e shpërthimit në portin e Bejrutit dy ditë më parë. Në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Konsulli i nderit tregon se është një prej dëshmitarëve që ishin shumë pranë zonës së shpërthimit.

"Në momentin që ndodhi unë gjendesha në zyrat tona në Bejrut, pothuajse një km larg nga shpërthimi. Ndërtesa jonë u dëmtua rëndë nga shpërthimi dhe të gjithë menduan se do të vdisnim. Presioni i fortë na hodhi në ajër për 3 ose 4 metra nga pozicioni ku ishim ulur. Zhurma ishte e pabesueshme. Dhe në të gjithë ishin të mbyllur brenda për shkak të këtij presioni të madh të krijuar në të gjithë qytetin.  Ndërtesat lëviznin sa majtas-djathtas. Shoku më i madh ishte në kohën kur lamë zyrën dhe donin të arrinim në shtëpi, sepse ndërkohë që lëviznim në qytet njerëzit ishin të lënduar, dhe rrugët ishin plota makina dhe ambulanca. Qyteti, Bejruti është i shkatërruar plotësisht.  Kaosi ishte shtrirë në një gjatësi prej 20-30 km", tha Ghorayeb.