Korça kalon në minus gradë, banorët ankohen për rritjen e çmimit të drunjve: Po ngrohemi me korent!

6 Dhjetor 2019, 17:00

Këto ditë temperaturat në qytetin e Korçës janë ulur ndjeshëm duke shkuar në minus gradë, çka ka bërë që furnizimi me dru zjarri të jetë i detyrueshëm për qytetarët, por nga ana tjetër i çmimi i tyre është pa përballueshëm për ta.

Ata shprehen se drutë kanë pësuar rritje çmimi nga viti në vit. E kjo gjë i ka detyruar banorët e juglindjes të ngrohen herë-herë me energji elektrike.“I kam marrë me 34. Nuk është i përballueshëm me pensionin që kemi. Çmimi është i lartë për momentin. Nga 10 metër kub do marrësh 7. Përvit ngrihet. Në bazë të pensionit i marrim. 45 metri kub. Gjysmat i kemi marrë, gjysmat jo për shkak të gjendjes financiare”, thanë qytetarët korçarë.  

Jo vetëm çmimi, por sipas qytetarëve atë çfarë kanë hasur kohët e fundit është edhe abuzimi në metër, pasi sipas tyre asnjëherë nuk vjen i plotë.

“Ne ngrohemi me korent. I kanë bërë shumë të vogla kubikët. Nuk na leverdis. Me këto kubikët na bënë kërdinë”, u shprehën të tjerë qytetarë.

Të kontaktuar nga Report Tv, bizneset e licencuara për tregtimin e druve, mohojnë pretendimet e qytetarëve duke thënë se në juglindje çmimi i druve vazhdon të jetë i njëjtë me vitet e kaluara.