Kosovë, shpërndahet Parlamenti, vendi drejt zgjedhjeve të parakohëshme

22 Gusht 2019, 12:08

Me 88 vota pro, 1 kundër dhe dy abstenime është miratuar shpërndarja e parlamentit të Kosovës duke e çuar vendin në zgjedhje  të parakohshme.

Kryetari i parlamentit të Kosovës Veseli kërkoi që në fillim të seancës jë votim të menjëhershëm duke mos lejuar debate në sallë.

Subjektet politike kanë shprehur tashmë publikisht qëndrimin për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate ende të pashpallur zgjedhore. Ndërkohë që janë arritur edhe koalicionet e para parazgjedhore, si dhe kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për koalicione eventuale para apo pas zgjedhjeve.

Përfundimi i mandatit të qeverive dhe legjislaturave të Kosovës para skadimit të mandatit kushtetues, katër vjeçar, tashmë është bërë “praktikë”, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues, çka sjell si rezultat mbajtjen e vazhdueshme të zgjedhjeve të parakohshme.