Kosovë, sulmohet fizikisht gazetari investigativ Visar Duriqi, reagime të shumta në vend

25 Shkurt 2021, 16:43

Tre persona e kanë sulmuar fizikisht mbrëmë gazetarin e Insajderit Visar Duriqi, raportojnë mediat vendase.  Sulmi fizik ndaj tij është bërë nga persona ende të panjohur që e kishin pritur gazetarin në hyrjes së banesës së tij.

Gazetari Duriqi ka pasuar lëndime të shumta dhe është trajtuar në Urgjencën e QKUK-së.

Policia ka konfirmuar se të dyshuarit kanë mbajtur maska gjatë sulmit.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë policia.

Menjëherë pas sulmit ndaj gazetarit kanë reaguar klasa politike në vend. Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, e ka quajtur lajmin si të rëndë.

“Lajme të tilla sikur për sulmin e lëndimin e rëndë të gazetarit Visar Duriqit mos lexofshim kurrë”, shkruan Kurti.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se sulmi ndaj gazetari në fakt është një sulm ndaj gjithë shoqërisë.

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj gjithë shoqërisë sonë. Sulme të tilla dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe medias dhe janë sulme direkte mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Institucionet përgjegjëse duhet ta hetojnë urgjent këtë rast, të identifikojnë autorëve dhe të zbulojnë motivet e sulmit, dhe po ashtu që të merren masa ligjore efikase”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i tronditur për sulmin fizik ndaj gazetarit investigativ në Kosvë.

“I tronditur pas sulmit fizik ndaj gazetarit, Visar Duriqi. Kjo është tendencë sulmi edhe ndaj lirisë së shprehjes dhe assesi nuk duhet të tolerohet. Kërkoj nga organet e drejtësisë që urgjentisht ta zbardhin rastin dhe autorët ta marrin dënimin meritor!”, tha Haziri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar po ashtu rëndë dhunën ndaj gazetarit.