Kreu i AstraZenecës, Soriot: Nuk po bëjmë padrejtësi! 17% të prodhimit të vaksinave anti-COVID në shkurt do të jenë për BE-në

27 Janar 2021, 14:48

Kreu i AstraZeneces, Pascal Soriot ka mbrojtur kompaninë e tij farmaceutike në lidhje me kritikat për vonesën e shpërndarjes së dozave të vaksinave anti-COVID në BE.

Soriot, i ka kthyer përgjigje akuzave që kompania farmaceutike, AstraZeneca është duke dërguar dozat e vaksinave të BE-së në vende të tjera duke e “lënë atë pas dore” me qëllim fitimin.

Ai tha se “Kompania jonë nuk po shet vaksinat e Evropës diku tjetër, thjesht kemi mungesë në prodhim”.

Në një intervistë për La Republica, kreu i kompanisë farmaceutike është pyetur lidhur ndikimin e vonesës së nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në.

“Nuk jam unë ai që do të gjykoj këtë vendim, por di të them se ne kishim nënshkruar marrëveshjen dhe kishim nisur shpërndarjen në Britaninë e Madhe 3 muaj më parë”, ka thënë Soriot.

 

“Popullsia evropiane, aktualisht është shumë e stresuar dhe shumë e lodhur për shkak të pandemisë e cila ka nisur 1 vit më parë. Ata përfaqësojnë 5% të popullsisë së botës dhe do të marrë 17% të prodhimit të vaksinave tonë në shkurt”, ka shtuar ai gjatë intervistës.

AstraZeneca, ka lajmëruar disa ditë më parë se për shkak të mungesës së prodhimit dozat e vaksinave të parashikuara në kontratën e nënshkruar me BE-në do të vonohen të dorëzohen.

Kjo solli revoltën e krerëve të shteteve të BE-së, ku disa prej tyre si Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte e ka konsideruar të papranueshme dhe shkelje të rëndë kontraktuale.