Kryebashkiaku Erion Veliaj inauguron shtëpinë e re të familjes Zhullima në Farkë

29 Prill 2021, 14:29 | Përditesimi i fundit: 2021-04-29 15:28:50

Vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi familjen e Hasan Zhullimës në Farkë të Madhe, e cila u gëzua me një shtëpi të re me të gjitha kushtet. Veliaj u shpreh se si në fushatë, si jo në fushatë, puna duhet të vijojë me të njëjtin ritëm, pa u ndalur.“Ka shumë njerëz që thonë: ‘Hë se këto bëhen për fushatë’ – por ne jemi menjëherë në terren duke vazhduar kantieret që ditën mbas fushate. Këtu disa njerëz janë ndarë për të punuar, disa njerëz janë ndarë për të xhiruar gomat, për të thyer poçat dhe për të fjetur gjumë. Por, ne e kemi çdo ditë fushatë. E kishim fushatë para një jave, e kemi tani një javë mbas zgjedhjeve. Do ta kemi gjatë verës, kur njerëzit do të shkojnë me pushime, dhe kur të vijnë do ta gjejnë Tiranën, me shumë prej infrastrukturave të rëndësishme në përfundim, sidomos në shkollat e reja që ne presim t'i hapim në shtator”, sqaroi Veliaj. Më tej kryebashkiaku pohoi se që punët të ecin sa më shpejt dhe sa më mirë duhet të ketë bashkëpunim mes kundërshtarëve dhe jo ndasi.