Kryetarja e Komisionit të Medies-Gjinushit: Tërhiquni nga zgjedhjet në Akademinë e Shkencave

22 Maj, 15:55

Nuk na ndajnë as dy ditë nga zgjedhjet që ishin parashikuar që të zhvillohen në Akademinë e Shkencave, për katër vende vakante, kur nga Kuvendi i Shqipërisë, kryetarja e komisionit për Edukim dhe Mjete të Informimit publik, Fatjona Dhimitri u bën thirrje akademikëve, që të mos hynë në këto zgjedhje, sepse do të ishte paradoksale, që ato të bëhen me ligjin e vjetër të Akademisë së Shkencave, kur në komision është duke u shqyrtuar këto ditë projektligji “Për reformën në Akademi”.

“Në datën 24 maj, pranë këtij institucioni të mendimit shkencor pretendohet që të mbahen zgjedhjet për konstituimin e kryesisë së saj, përsa më sipër deklaroj, se zgjedhjet e pretenduara janë të pagjetura, me boshllëqe edhe të nxituara. Vënë komisionin edhe kuvendin para faktit të kryer, të padobishme për reformimin e ASH, paradoksale, sepse zgjedhin drejtues me ligjin që vet akademia do të ndryshohet, jo serioze edhe të paprecedente, që nga themelimi të saj. Ju bëj thirrje të gjithë akademikëve, që mos të hyjnë në aventurën e zgjedhjeve të 24 majit, sa kohë që të presin përpilimin edhe hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor, mos të përfshihen në procese të parregullta ligjore, që komprometojnë të ardhmen e akademisë, edhe pengojnë marrëdhënien me kuvendin”, shprehet kryetarja e komisionit të Medies, Fatjona Dhimitri.

Dhimitri e quan të pakuptimtë, që nga akademikët të ketë nxitim, pikërisht tani që ligji për akademinë e shkencave ka hyrë në proces. Sipas saj, kokëfortësia e një grupi, apo një individi e dëmton akademinë edhe shkencën shqiptare për më tepër, për të cilën është shprehur edhe komuniteti i shkencor i vendit.

“Ju bëj thirrje të gjithë akademikëve, që të mos përfshihen në procese, që janë në mospërputhje me ligjin. Mendimi shkencor nuk mund të jetë pjesë e skemës politike, kandidati për kryetar në ASH, është një ish kryetar partie, që ka dhënë dorëheqjen vetëm katër vite më parë. Është një ish- kryetar i kuvendit, edhe më parë akoma ish- ministër në kohën e diktaturës. Edhe shkencën, ne politikanët e partive politike do ta drejtojmë, zoti Gjinushi, tërhiquni nga zgjedhjet, mos censuroni kornizën e mendimit shkencor në Shqipëri”, vijon Dhimitri.

Ndërsa, deri më tani nuk ka ende një përgjigje zyrtare për pezullim të këtyre zgjedhjeve, që do të mbahen në datë 24 maj, ora 10.00, ku për kryetar e vetmja kandidaturë është ajo e akademikut Skënder Gjinushi, për nënkryetar kandidon akademiku Vasil Tole. Për pozicionet e Sekretarit Shkencor kandidon Salvator Bushati dhe për pozicionin e Kryetarit të Seksionit të SHNT-së akademik Neki Frashëri.

Kategori të tjera

Shiko të gjitha