Kukësi kërkon t'i japë fund krizës kundër Vllaznisë, shkodranët: Kjo ndeshja s'ka lidhje me të parën

14 Janar 2021, 14:48

Të premten do të nisin ndeshjet e javës së 14 të Superligës ku padiskutim spikat Kukësi-Vllaznia. Shkodranët e vendit të parë, që janë shkëputur 9 pikë nga ndjekësit, presin verilindorët të cilët po kalojnë një moment aspak pozitiv, pasi në tre ndeshjet e fundit kanë vetëm humbje. Gjithsesi në kampin kundërshtar janë shumë të motivuar në prag të sfidës:

“Ne kemi lojtarë shumë të motivuar për Kukësin. E kemi marrë seriozisht ndeshjen dhe kemi studiuar pikat e dobta të tyre. E sigurtë është se duhet të bëjmë maksimumin për të marrë pikë kundër tyre.”

Kukësi është i vetmi kundërshtar që i ka shkaktuar humbje Vllaznisë këtë sezon, por ajo ndeshje sipas futbollistit të shkodranëve Arlind Kalaja u vendos nga episodet.

“Mendoj se ajo ndeshja ka qenë sfidë episodesh dhe s’ka treguar fëtyrën e vërtetë të skuadrave. Absolutisht që e kemi përgatitur takimin me Kukësin, ndeshja që ka shkuar na ka bërë mirë sepse e kemi njohur mirë kundërshtarin, por i dimë aftësitë tona edhe nuk duam të mendojmë për të shkuarën por për të ardhmen.”

Më tej Kalaja tregon se çfarë e ka bërë Vllazninë të marrë këto rezultatet fantastike, deri në këtë fazë të sezonit.

“Është meritë e grupit, e stafit, e çunave, bordit drejtues dhe të gjithëve. Jemi një grup shumë i lidhur dhe kjo transmetohet shumë qartë në fushën e lojës. Uroj që këta rezultatet të vazhdojnë kështu dhe të arrijmë objektivat e ekipit.”

Ndeshja tjetër që do të luhet të premten është ajo mes Teutës dhe Bylisit. Të dy takimet janë caktuar të nisin nga ora 18:00.