Kuko sqaron punën e policisë vullnetare: S'janë spiunë lagjeje! Ja çfarë roli do kenë

3 Tetor 2019, 13:36 | Përditesimi i fundit: 2019-10-03 16:10:39

TIRANË-  Zv. ministrja e Brendshme, Romina Kuko ka dhënë detaje se si do të funksionojë policia vullnetare, duke theksuar se ato nuk janë "spiunë" siç disa e kanë etiketuar. Në një konferencë të posaçme për mediat, Kuko ka sqaruar se këta policë do të marrin pjesë në ngjarje të dinamikës së përditshme në komunitet dhe për ta thjeshtësuar këtë, zv.ministrja ka dhënë një shembull konkret.

"Nëse do marrin pjesë në një ndeshje futbolli, policët vullnetarë do të jenë krah efektivëve të policisë për t'i ndihmuar ato në futjen në stadium të policëve. Në rast të një aksidenti rrugor, ai nuk do të dublojë punën e policisë, por mund të kryejnë veprimet e para si lajmërimi i policisë apo të japë ndihmën e parë. Nuk do të marrin pjesë në aktivitete masive si protesta sepse për raste të tilla ka protokolle të veçanta. Mund të kryejnë veprimet e para, është një ndihmesë dhe angazhim vullnetar për të mirën e komunitetit", u shpreh Kuko.

Ky projekt është në fillesat e tij, për këtë arsye Kuko ka deklaruar se nuk ende një datë se kur do të marrë jetë apo numrin e kandidatëve që do të pranohet, megjithatë ka theksuar se do të jetë një kuotë e caktuar që do të varet nga numri i popullësisë dhe territori ku ato do të japin një shërbim. Duke u ndalur tek kushtet, që aplikanti duhet të plotësojë, Kuko ka sqaruar se nuk duhet të jetë i përjashtuar nga radhët e policisë dhe nëse është larguar, do t'i bëhet një "vetting" mbi motivet e largimit dhe pastërtinë e figurës së tij.

Kriteret
1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

2. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

    No videos found.