Kur ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe a e pengon dot Presidenti? Ulsi Manja tregon fazën ku ndodhet

11 Qershor 2019, 20:43

Deputeti i PS-së, Ulsi Manja ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është në fazat e fundit të vendosjes në funksion. Manja ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale brenda muajit korrik dhe sipas tij do të fillojë me të gjitha dosjet që janë lënë pa shqyrtuar.

Kujtojmë se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i propozon 9 emra kandidatësh presidentit në tre grupime të ndryshme. Presidentit i duhet të zgjedhë nga një në secilin grupim, pra tre kandidatë në total. Presidenti ka 30 ditë kohë për tu shprehur, në rast se kjo nuk ndodh, atëherë ditën e 31 automatikisht zgjidhet i pari nga secili grup, i cili bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, KED i nis të njëjtën gjë, me emra të tjerë, në tre grupime, edhe Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendit i duhet të votojë tre anëtarë, me 84 vota. Nëse parlamenti nuk arrin dot 84 vota atëherë kandidatët e listuar të parë nga tre grupet bëhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Në të tilla kushte, Gjykata Kushtetuese ka kuorumin prej minimumin 6 anëtarësh që nevojiten për tu mbledhur dhe shqyrtuar një çështje. Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka vetëm një anëtarë, Vitore Tusha, dhe me 6 të rinjtë plotësohet numri i shtatë i anëtarëve.

Edhe tre anëtarë të tjerë duhet të plotësohen nga Gjykata e Lartë, e cila aktualisht është jo funksionale, por deri atëherë me kalimin e kandidatëve nga Presidenti dhe Kuvendi, Kushtetuesja arrin kuorumin.

"E gjithë loja politike lidhet me Reformën në Drejtësi. Kjo ka trazuar shumë ujëra në Shqipëri. Në presim SPAK-un. Është e vërtetë që nga 2018 nuk funksionon mbledhja e Gjykatës Kushtetuese për shkak të largimeve nga Vetting-u. Më vjen keq ku disa thonë se më mirë të ishin ashtu sesa pa të fare. Gjykata Kushtetuese në fazën ku ndodhemi do të bëhet edhe kontrolli i aftësive profesionale dhe kontrollet që kanë garuar për Kushtetuese është drejt fundit. Presidenti tre dhe tre kuvendi i Shqipërisë. 9 kandidatura tek presidenti dhe 9 te kuvendi nga këto do dalin 6. Ne rast se Meta nuk dekreton ditën e 31 kandidati i parë në renditje nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ai shkon dhe bën betimin para trupës së gjykatës kushtetues. E njëjta vlen edhe për parlamentin, kandidati i renditur i pari shkon në gjykatën Kushtetuese. Shpresoj që të mbyllet brenda korrikut. 1 e kemi dhe bëhen 7. Duhet të jenë jo më pak se 6. Ky grup e ka detyrim  që të marr në shqyrtim të gjitha kërkesat e patrajtuara. Listën e përcakton gjykatë të përparësive. dje KQZ u shpreh qartë për 30 qershorin. Kush ka pretendime le ta çojnë në Kolegj Zgjedhor. Ne si PS kemi detyrimin që të dalim në fushatë. ditën e enjte do të ketë debat shterues ku nëpërmjet rezolutës do të shprehet vullneti për garantimin e 30 qershorit", ka deklaruar Ulsi Manja.