Deklarata e fortë e Artan Hoxhës: Ku i fshehën lekët grabitësit

23 Prill 2019, 19:56 | Përditesimi i fundit: 2019-04-23 20:15:50

Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha tha se dyshimet e policisë janë që paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit teksa do të transportoheshin me avion për në Vjenë, mund të jenë fshehur nga autorët shumë pranë zonës së Rinasit.

I ftuar në studio me gazetarin Elton Qyno dhe moderatoren Ina Qirjo, gazetari Hoxha tha se kërkimet e policisë janë në trekëndëshin: Fushë-Krujë, Fushë-Prezë dhe Tapizë e Sipërme.

Duke marrë parasysh vlerën e madhe t ëparage të grabiturave, rreth 6 milionë euro, dhe zhurmën e madhe të krijuar për grabitjen, autorët dyshohet t'i kenë fshehur paratë pranë tunelit në Tapizë ku dogjën furgonin e dytë me të cilin u arratisën pasi Admir Murataj u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Gazetari Artan Hoxha solli në vëmendje edhe një grabitje të kryer nga i njëjti grup në Greqi, kur grabitësit shqiptarë i fshehën paratë dhe i morën ato në Greqi disa muaj më vonë pasi erdhën në Shqipëri.

"Duke qenë se ishte një vlerë e madhe parash, kërkimet e policisë, duke aktivizuar edhe SHISH, janë fokusuar mbi dyshimin që paratë të jenë ende të fshehura, strehuara në zonën afër Rinasit, nga Fushë-Kruja, Fushë-Preza, deri në Tapizë e Sipërme, ku është djegur furgoni tjetër. Ky është trekëndëshi i kërkimeve për sasinë e parave. Për shkak të zhurmës së madhe ka qenë e vështirë për tu transportuar. Edhe kur bënë grabitjen e 1 milionë eurove në Larisa, nuk i sollën menjëherë në Shqipëri, por shkuan muaj më vonë për t'i marrë", tha gazetari i Report Tv, Artan Hoxha.