Kush rreh gruan do dëbohet nga shtëpia pa vendim gjykate, nisma shkon në Kuvend

22 Janar 2020, 14:02

Ditë të zeza në horizont për burrat që dhunojnë gratë. Policia do të dëbojë nga banesa burrat që dhunojnë gratë pa pritur urdhrin e mbrojtjes që do të lëshohet me vendim gjykate. Kështu parashikon një tjetër nismë ligjore e depozituar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, me qëllim për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje, përmes masave paraprake të menjëhershme, para se të vihet në lëvizje gjykata.

Projektligji është propozuar nga deputet e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, duke ndryshuar ligjin e vitit 2006 për masat ndaj dhunës në marrëdhënie familje, ligj i cili është ndryshuar për herë të fundit në vitin 2018. Nisma shton një pikë në nenin 13 /1, të ligjit për masat dhunës në familje, tek masat urgjente për ndalim e dhunës. Konkretisht, kur nga kryerja e vlerësimit të riskut rezulton se dhuna e ushtruar paraqet rrezik për jetën, shëndetin dhe lirinë e anëtarëve të familjes, strukturat përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, pranë Policisë së Shtetit, marrin menjëherë masa për largimin e dhunuesit/es nga banesa derisa gjykata të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrin e mbrojtjes.