Kuvendi rezolutë me 16 pika për nisjen negociatave: Do plotësojmë të gjitha kushtet nga lufta ndaj korrupsionit tek ligji i ri për mediat

25 Shtator 2020, 18:32

TIRANË- Shqiptarja.com zbulon 16 pikat e një projektrezolute, e cila do të miratohet nga Kuvendi, për procesin e nisjes së negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE si dhe mbi disa kushte për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Në dokument ritheksohet se procesi i negociatave dhe anëtarësimi mbetet objektivi madhor i Shqipërisë, ndërsa i kërkohet qeverisë të thellojë reformat integruese. Në projektrezolutë Kuvendi deklaron angazhimin që të bashkëveprojë dhe të monitorojë të gjitha institucionet e përfshira, të cilat kanë për detyrë plotësimin e kushteve për nisjen e bisedimeve.

Kushtet e thekura në projektrezolutë janë forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit, ndryshimi i ligjit për mediat sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, zbatimin e reformës zgjedhore, transparencë në financimin e partive dhe fushatave elektorale, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, përfundimin e ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe adresimin e rekomandimeve të Task Forcës të Veprimit Financiar (FATF) për forcimin e luftës kundër financimit të terrorizimit.